
Të luash kundër një prej skuadrave më të mëdha në kontinent është një ëndërr. Ajo e Shkëndijës ndaj Tottenham do të jetë një sfidë prestigji, por që e kompromenton objektivin e tetovarëve për t’u kualifikuar në grupet e Europa League.
“Ndoshta fati i keq i Shkëndijës është që në turin e tretë ka një nga ekipet elitare të futbollit europian sepse pretendonim të shkonim dhe më lartë”, tha Gjoka.
Me Tottenham-in që rrezikoi në Bullgari përballë Lokomotiv Plovdiv, Jose Mourinho beson se me sistemin e ndeshjeve teke, ekipet e vogla kanë shanse të bëjnë mrekulli. Për këtë arsye trajneri i mirënjohur i trembet Shkëndijës, edhe pse pranon se nuk i njeh tetovarët.
“Kur luan dy ndeshje je më i qetë, me një ndeshje është e rrezikshme dhe do të jetë e rrezikshme kundër Shkëndijës. Të jem i sinqertë nuk e njoh këtë kundërshtar, duhet të nisim t’i studiojmë. Por, përpara kësaj, kemi maratonën me Southampton,Leyton dhe më pas udhëtojmë në Maqedoni”, u shpreh Mourinho.
Përveç avantazhit të fushës apo faktit që në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka, Shkëndija mund të besojë. Sfida ndaj tetovarëve do të jetë e pesta për Tottenhamin në harkun e 11 ditëve. Përpara duelit të 24 shtatorit, në datat 20 dhe 22 londinezët luajnë në Premier League dhe në Kupën e Ligës. (A2 Televizion)