
Pasi u caktua koordinator politik i kryetarit demokrat për zgjedhjet 25 prillit, ka ardhur edhe reagimi i Eduart Halimit. Në një postim në rrjetet sociale Eduart Halimi shprehet se nuk mund të refuzonte ftesën e Bashës, pasi e thirri për të shërbyer në familjen e tij politike. Ai thotë se nuk do të jetë deputet, por i bën thirrje kujtdo që të bashkohet për t’i shërbyer PD-së.
“Unë e pranova kërkesën e Lulzim Bashës për t’u caktuar si “Koordinator i posaçëm politik i kryetarit të PDSH për 12 qarqet, në zgjedhjet e vitit 2021” . Kurrë nuk do hezitoja të ndihmoja mikun tim Lulzim Basha, ashtu si kurrë nuk kam hezituar të ndihmoj dhe si anëtar i thjeshtë familjen tonë politike, gjatë gjithë jetës sime.
Kur thirresh për të shërbyer, askush nuk ka të drejtë të mos pranojë t’i shërbejë familjes politike.
Të shërbesh, për çdo anëtar të së djathtës politike, është detyrë, dhe nuk duhet lidhur kurrsesi me të qënit deputet. Unë nuk do jem deputet, por do t’i shërbej familjes politike.
Është koha të bashkohemi për t’i shërbyer familjes sonë politike në këtë betejë”. (A2 Televizion)