
Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA ka dalë kundër idesë “revolucionare” të disa prej klubeve më elitare të botës. Në një reagim zyrtar pas vendimit të 12 klubeve europiane për të krijuar një ligë të përbashkët, FIFA thotë:
“Mund të shprehim vetëm mosmiratimin tonë për një “ligë të mbyllur dhe të shkëputur europiane”, jashtë strukturave ndërkombëtare të futbollit, që nuk respekton parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar FIFA. Jemi gjithmonë për bashkim dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira në diskutime të ndezura që të përfshihën në një dialog të qetë, konstruktiv dhe të ekuilibruar për të mirën e sportit dhe me shpirtin e solidaritetit dhe lojës së ndershme. FIFA do të bëjë gjithçka është e mundshme për të kontribuar në harmonizimin dhe përparimin e interesave të futbollit”.
Klubet të cilat deri tani kanë rënë dakord për Ligën Europiane janë Real Madrid, Atletico Madrid, Barcelona, Manchester United, Manchester City, Tottenham, Arsenal, Liverpool, Chelsea, Milan, Inter dhe Juventus. Bayern München dhe Paris SG, për momentin janë shprehur kundër, por ka gjasa që qëndrimi i tyre të ndryshojë në të ardhmen. (A2 Televizion)