
Teksa diplomacia botërore ende po vuan të gjejë zgjidhje për sulmin ushtarak rus ndaj Ukrainës, vendimin e parë konkret e mori futbollit. UEFA vendosi t’i heqë Shën Petersburgut finalen e Champions League, e përcaktuar të luhet më 28 maj.
Në mbledhjen urgjente të Komitetit Ekzekutiv të konfederatës europiane të futbollit, u vendos që ndeshja të zhvillohet në Paris, në Stade de France. Vendimi i marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme, lidhet në mënyrë të drejtë për drejtë me agresionin rus.
“Pas përshkallëzimit të rëndë, rreth sigurisë në Europë, Ekzekutivi i UEFA-s vendosi ta spostojë finalen e Champions League nga Shën Petersburgu në Paris. Ndeshja do të luhet të shtunën e 28 majit, në orën 21”, shkruhej në njoftimin zyrtar të UEFA-s.
Të njëjtin fat do të kenë edhe ndeshjet e tjera për turnetë e UEFA-s, të përcaktuara që të luhen në Rusi apo në Ukrainë, si sfidat play off drejt Botërorit 2022 në Katar, apo ndeshja e ardhshme e Spartak Moscow në Europa League.
Të gjitha përballjet do të zhvillohen në fusha neutrale, për të garantuar sigurinë e sportistëve dhe stafeve teknike. Kjo është hera e parë prej vitit 2006 që Franca do të organizojë finalen e ChampionsLeague. (A2 Televizion)