“Ufoja” i arratisjeve nuk do të ekstradohet, 25 vjet dënim në burgun shqiptar

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2022, 16:46 | Kronikë
“Ufoja” i arratisjeve nuk do të ekstradohet, 25 vjet dënim

Ilir Paja, i njohuri me emrin “Ufo” për shkak të dy arratisjeve të bujshme në Itali, do ta vuajë dënimin e drejtësisë italiane në Shqipëri.

Paja u arrestua më 3 nëntor për llogari të dënimit me 25 vite burg për “vrasje” nga drejtësia e vendit fqinj. Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë ndaj tij nga Shkalla e Parë, për efekt të njohjes së vendimit penal të huaj dhe vuajtjes së dënimit në vend.

Pas arrestimit më 3 nëntor, Paja u la në burg për qëllime ekstradimi, prokuroria ndërpreu këtë proces dhe kërkoi të njëjtën masë sigurie, por për njohjen e dënimit italian.

Paja ishte liruar para kohe nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, ndërsa vuante dënimin për plagosjen e një punonjës policie në vitin 2008 në Tiranë.

Ai u etiketua me nofkën “Ufo” nga mediat italiane, ku u arratis dy herë nga burgje të sigurisë së lartë, teksa ishte arrestuar për ngjarje të rënda kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos