
Pandemia e koronavirusit ul ndjeshëm traumat dhe urgjencat kirurgjikale. Izolimi i popullsisë për shkak të Covid-19 ka reduktuar aksidentet në punë dhe në rrugë. Volumi më i madh është te ndërhyrjet kirurgjikale urgjente që këtë periudhë janë zhvendosur nga QSUT te Trauma. Por mjekët thonë se situata është më e qetë nga çfarë pritej, me rreth 15 ndërhyrje në ditë.
“numri i aksidenteve ka rënë diku te 50-60%, por është rritur fluksi i urgjencave të tjera kirurgjikale”, thotë Dritan Çela, shefi i kirurgjisë te spitali i Traumës.
Në këtë periudhë pandemie, edhe sjellja e mjekëve ka ndryshuar. Çdo pacient trajtohet si i prekur me Covid, ndaj janë shtuar masat mbrojtëse, por edhe vizitat diagnostikuese para kryerjes së operacionit.
E nëse Covid-19 vijon të shtojë të prekurit dhe viktimat, këtë periudhë në spitalin e traumës nuk ka pasur asnjë humbje jete nga aksidentet dhe ndërhyrjet kirurgjikale. (A2 Televizion)