
Shumë shpejt dhe në Shqipëri do të funksionojë si në vendet europiane, ku fishekzjarrët nuk do të hidhen më nga njerëzit, por nga autoritetet.
Tre ministrat, ai i Brendshëm i Mbrojtjes dhe i Financave firmosën një urdhër për ndalimin e hedhjes në treg të fishekzjarrëve të rrezikshme. Vendosja e një regjimi të ri përcakton masat dhe hapat që do të merren për ndalimin e hedhjes në tregun e brendshëm të këtyre artikujve. Sipas urdhrit do të ndalohen kategoritë F2 dhe F3 përdorimi i të cilave në mjedise të hapura mund të bëhet vetëm nëpërmjet disa rregullave.
Kategoritë e fishekzjarrëve që ndalohen: Artikujt që do të ndalohen të hidhen në treg janë të kategorisë 2, përdorimi i të cilave në mjedise të hapura jashtë ndërtesave kërkon një distancë nga 5 deri në 8 metër nga njerëzit dhe objektet; të kategorisë 3, përdorimi i të cilave në mjedise të hapura kërkon një distancë mbi 25 metër nga njerëzit dhe objektet.
Në urdhër janë përcaktuar edhe detyrimet e institucioneve shtetërore për ndalimin dhe hedhjen në treg të këtyre produkteve.
Përcaktohet se fishekzjarrë të tillë do të lejohen të përdoren vetëm nga subjekte të licencuara.
Urdhri parashikon gjithashtu se edhe në raste festash familjare fishekzjarrët do të lejohen vetëm pas vënies në dijeni të Komisariatit të Policisë, që mbulon zonën. (A2 Televizion)