
Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet të marrë më 4 mars vendimin mbi kërkesën për shkarkimin e gjyqtares së arrestuar të Krujës, Enkelejda Hoxha.
Në përfundim të seancës së sotme, babai i gjyqtares tha se çdo gjë është motivuar politikisht dhe se sipas tij, e bija ka qenë nën presion të vazhdueshëm. Nuk kursen as akuzat direkte ndaj kryeministrit.
KLGJ i kishte kërkuar drejtorisë së burgjeve që të bënte të mundur prezencën e gjyqtares. Gjyqtarja kishte kërkuar që senca të shtyhej. Kërkesën e saj e lexoi gjatë seancës nënkryetari i KLGJ, Maks Qoku.
Por Artur Metani, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë e kundërshtoi mungesën e gjyqtares dhe të avokatit të saj. “Si Artur Metani e mirëkuptoj e nuk do doja kurrë të kishte një situatë të tillë, si kjo që po kalon magjistratja. Do i bëja thirrje të rishikonte këtë qëndrim sepse edhe sjellja dinjitoze është e rëndësishme në këtë proces. Por si Inspektori i Lartë i drejtësisë më duhet të jem dhe jam i ftohtë ia kemi dhënë çdo mundësi magjistrates. Kam mirëkuptuar shtyrjet sepse e mirëkuptoj se një procedim disiplinor shkakton tronditje. Por procesi duhet të vijojë. Unë isha kundër shtyrjes edhe herën e kaluar.
Nuk jam dakord që të shtyhet, nuk e shoh si arsye të ligjshme, të paktën me aq sa dëgjova në këshill nga deklarata e saj. E para sepse magjistratja është njoftuar dhe vetë avokati gjithashtu është njohur. Mbase këshilli duhet ta kontaktojë që të kuptojë se pse nuk është ende këtu”, u shpreh ai.
Seanca u ndërpre, por edhe pas rinisjes nuk u bë i mundur kontakti me avokatin e Hoxhës. Kjo gjë irritoi anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. “Në këtë situatë, propozoj që seanca të shtyhet për shkak të mosprezencës pa shkaqe të përligjura. Përfaqësuesi i zgjedhur të paralajmërohet në rast përsëritje për dënim me gjobë sipas ligjit deri në 100 mijë lek. Propozoj të mundësohet lidhja online me magjistraten”, tha Brikena Ukperaj.
“Po tentohet zvarritja e procesit. E njëjta gjë edhe e mbrojtësit që seancën e kaluar u paraqit me vonesë. Në kushtet kur magjistratja nuk është paraqitur, nuk dëshiron të paraqitet, jam dakord të mundësohet një lidhje online nga vendi ku ajo ndodhet. Pra duhet të gjejmë mekanizmin që ta zhbllokojmë”, tha Dritan Hallunaj. (A2 Televizion)