
Ndërkohë që mungon një orë nga mbyllja e qendrave të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, ka përditësuar të dhënat e fundit për pjesëmarrjen, si dhe për disa episode të cilësuara si të parregullta.
Sipas tij, me të dhënat e orës 16.00 pasdite, numri i votuesve në shkallë vendi është 33 mijë e 47 anëtarë e barabartë me 44% të votuesve.
Ka patur disa denoncime ku persona të anëtarësuar në parti nuk kanë mundur të votojnë sepse nuk ishin të pranishëm në lista, por Gjana e minimizon problemin. “ Në përgjithësi janë lejuar të votojnë, pa i penguar. Është e vërtetë që ka njerëz, aktivistë, anëtar të PD që nuk e kanë emrin në listë për efekt të përpunimit të herë pas here në sistemet e IT të emrave. Ngaqë e kemi ditur këtë paraprakisht edhe kemi mbajtur këtë qëndrim; që nëse nuk rezulton emri në listë por disponon një kartë anëtarësie të mund të votosh me kartë anëtarësisë. Nuk ka patur asnjë tentativë dhe asnjë qëllim për t’i penguar”, deklaroi ai.
Gjana evidentoi edhe një rast të ndodhur në kryeqytet. “Në Kombinat është paraqitur një, që me këto “Faceboook”-et na del një emër i njohur, nga këto mediat investigative, që ka shkuar, ka tentuar të votojë me pajisje. Është larguar në punë të vet. Shpresoj të mos ketë shkuar në ndonjë vend tjetër”, shtoi ai. (A2 Televizion)