
Presidenti Bajram Begaj priti në një ceremoni shtetërore homologun azerbajxhanas, Ilham Aliyev. Në daljen për mediat pas takimit në Pallatin e Brigadave, dy presidentët nënvizuan rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vende, në një kohë kur shteti azer është kthyer në furnizuesin kryesor të Evropës me energji nëpërmjet gazsjellësit TAP.
“Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë veçanërisht në sektorët jetik si energjia”, tha Begaj.
“Aktualisht gazi natyror i Azerbajxhanit po i kontribuon sigurisë energjetike të Evropës. Deri në 2027 mbështetur në këtë memorandum kemi planin të dyfishojmë vëllimin e furnizimeve me gaz për Europën”, deklaroi Aliev.
Tubat e TAP-it kalojnë përmes Shqipërisë, për të cilën Begaj dhe Aliyev ndanë të njëjtën qasje për shfrytëzimin e mundësisë për gazifikimin e vendit.
“Shqipëria si vend tranzit në kuadër të TAP synon të kthehet në një vend përfitues të transmetimit të gazit. Procesi i gazifikimit në Shqipëri hap mundësi të reja bashkëpunimi”, u shpreh Begaj.
“Sigurisht ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë dhe kjo do t’i japë mbështetje dhe kontribut shtesë sigurisë energjetike të Europës”, theksoi Aliyev.
Pjesë të agjendës së tij, presidenti azer kishte edhe takimin me kryeministrin Edi Rama. (A2 Televizion)