Vllaznia pronë e Xhaferit, Flamurtari i besohet Idrizit

Nga A2 CNN
26 Gusht 2021, 22:53 | Futboll
Vllaznia pronë e Xhaferit, Flamurtari i besohet Idrizit

Edhe pse mungon vendimi “de jure”, tashmë Vllaznia mund të cilësohet “de facto” pronë e Alban Xhaferit. Sponsori i shkodranëve fitoi ankandin ku u shitën aksionet e klubit, por çështja kaloi në gjykatë, pasi ofertuesi Almiro Gurakuqi ngriti padi për parregullsi në proces.

Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të rrëzojë pretendimet e palës paditëse, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik. Procesi i ankandit është cilësuar i rregullt dhe tani pritet vetëm që Bashkia e Shkodrës të zyrtarizojë Alban Xhaferin si fitues dhe pronar të ri të skuadrës.

Vendim të rëndësishëm ka marrë edhe Bashkia e Vlorës. Këshilli Bashkiak votoi pro kërkesës që edhe për dy vitet e ardhshme, Flamurtari të mbetet në administrimin e kompanive turke, të përfaqësuara nga Sinan Idrizi, të cilat i drejtojnë kuqezinjtë prej vitit 2014.

Pas vendimit, Flamurtari do të nisë punën për ringritjen e skuadrës. Mes krizës financiare ndër vite dhe paqartësive për të ardhmen, në këtë sezon kuqezinjtë do të luajnë në Kategorinë e Dytë, nivelin e tretë të futbollit në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos