Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqin në 7 komuna. Partia Demokratike fitoi në 6 komuna, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë të tjera. Lista Serbe fitoi të dhjetë komunat e vogla me shumicë serbe. Nisma Socialdemokrate, Iniciativa qytetare për “Për Drenasin Kampion” dhe Kosovo Demokratic Turk Partisi fituan nga një komunë.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheq në Prishtinë, Pejë, Lipjan, Istog, Viti, Junik dhe Dragash me gjithsej 550 mijë banorë dhe me një territor prej 2700 kilometrash katrorë.
Pavarësisht këtij rezultatit, LDK për dallim nga mandati i kaluar ka dy komuna më pak.
“Kemi fituar me qytetari, ide, punë dhe përkushtim. Kemi fituar sepse qytetari i Kosovës e kuptoi qartë dallimin midis punës dhe fjalës, dinjitetit dhe arrogancës, mbi të gjitha midis shpresës dhe frikës”, tha Abdixhiku.
Lëvizja Vetëvendosje pasi fitoi në raundin e parë në Shtime, Kamenicë dhe Podujevë, në balotazh arriti fitore në Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Për ndryshim nga mandati i kaluar, Partia e Kurtit mori tri komuna më shumë në këto zgjedhje.
Për nga numri i banorëve, Vetëvendosje do të udhëheq me 420 mijë banorë dhe me një hapësirë territori 2100 kilometra katrorë.
“Falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre dhe aktivistët tanë të cilët e kanë pasur një betejë të jashtëzakonshme meqenëse në të gjitha këto raste të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër LVV. Vetëvendosje është ballafaquar me te përbashkëtën e tyre e cila është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës, andaj ky është një sukses i Vetëvendosjes”, u shpreh Kurti.
Partia Demokratike e Kosovës arriti të ruajë Prizrenin si një nga komunat kryesore së bashku edhe me Ferizajn. Kjo parti do të udhëheq në gjithsej 6 komuna për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.
Për dallim nga mandati i kaluar, PDK ka humbur komunat si Mitrovica dhe Drenasi. Mirëpo nga kjo parti krenohen me faktin se kanë arritur të marrin më së shumti këshilltarë lokalë.
“Disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë”, u shpreh Krasniqi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ruajti të gjitha komunat në të cilat ka qeverisur.
Ky subjekt politik do të vazhdojë udhëheqjen në Gjakovë, Deçan, Rahovec, Suharekë e Klinë.
“U konfirmua një besim i rritur për Aleancën për nivel nacional. Kemi marrë për parti 87 mijë e 500 vota, e kemi rritur numrin e prezencën tonë, në 5 komuna do të qeverisim e në disa tjera do të bashkë qeverisim”, theksoi Haradinaj.
Lista Serbe ka fituar të dhjetë komunat me shumicë serbe, pasi 9 i fitoi në raundin e parë ndërsa në balotazhe dhe Kllokotin, me gjithsej rreth 65 mijë banorë. (A2 Televizion)
