Votimi elektronik në njësinë 10, “rezultati i Xhafajt i pritshëm, surpriza është Shehaj”

Nga A2 CNN
26 Prill 2021, 10:50 | Politikë
Votimi elektronik në njësinë 10, “rezultati i Xhafajt i

Rezultatet e KZAZ 40 në njësinë 10 të kryeqytetit, totalisht elektronike, përfaqësojnë një risi në zgjedhjet shqiptare, sepse kemi tashmë rezultatet përfundimtare, jo vetëm për sa i përket partive, por edhe për votat e dhëna kandidatëve.

Analiza e votës së kandidatëve varet nga specifika të rëndësishme, por dy kanë qenë surprizat e mëdha në terma votash, Fatmir Xhafaj për PS-në dhe Agron Shehaj për PD-në.

Për të parin, Ilir Kalemaj thekson se njësia 10 ishte njësia e Xhafajt, pra rezultati nuk tregon se Xhafaj është më i votuari në Tiranë, por në atë njësi specifike, ku Veliaj ka investuar shumë për të, por ai do ta ketë shumë të vështirë sepse është i 23-ti në listë. Ndërkohë, Kalemaj cilëson rezultatin e Agron Shehajt të PD-së si surprizë, sepse edhe pse kandidon në njësinë 5 dhe 7 ka marrë më shumë vota se Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Pikërisht suksesin e Shehajt pedagogu Erlis Çela e shpjegon me profilin e tij.  “Është profil i qartë politik, nga një familje tradicionale e djathtë, emigrant me një histori suksesi, që ka pasur konsistencë në qëndrimet politike, si kontributi i tij për zbulimin e disa skandaleve të qeverisë, por edhe për trashëgiminë e krimeve të regjimit komunist, dhe elektorati i djathtë e ka shpërblyer”.

Ndërkohë, Çela thekson dhe rezultatin, që cilëson si zhgënjyes, për sa i përket lideres së LSI-së, Monika Kryemadhi, që ka marrë në këtë njësi 81 vota.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos