
Një ngjarje makabre është shënuar në fshatin Progër të Devollit, ku dy gra të moshës 60 dhe 80 vjeç janë vrarë nga një bashkëfshatari i tyre, 36-vjeçari i identifikuar si Ali Zili. Dy të moshuarat Fatmira dhe Bukurie Bami vjehrra dhe nusja jetonin të dyja në një banesë.
Ka qenë Kryeplaku i fshatit, Nevruz Hoxha, ai i cili ka konstatuar ngjarjen rreth orës 15:15 dhe ka njoftuar policinë. Sipas dëshmisë së kryeplakut, ato kanë bërë rezistencë ndaj autorit dhe ky i fundit i ka goditur me mjete të forta duke iu shkaktuar vdekjen. Në oborrin e shtëpisë është gjetur një telefon, në korridor ka qenë vjehrra 80-vjeçare e pa jetë dhe 60-vjeçarja është gjetur në dhomë, po ashtu e masakruar.
Dyshimet janë se autori ka shkuar për të grabitur pasi disa ditë më parë, 60-vjeçares i kishte ardhur e bija nga Greqia dhe autori ka menduar se kanë para në banesë. Po ashtu, mësohet se ditë më par autori iu kishte çuar lëndë drusore grave për ngrohje pasi ai me këtë punë merrej dhe jetonte.
Ali Ziri, i njohur si problematik në fshat dhe i dëbuar më parë për dhunë në familje, ishte i varfër dhe jetonte me shitjen e druve.
Ndërkohë, mësohet se autori e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, ashtu siç ka thënë se në banesë kishte arritur të merrte disa sende me vlerë të cilat më pas i ka hedhur në rrugë.
Policia vijon punë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes makabre. (A2 Televizion)