
Shefja e Policisë së Atlantës, Erika Shields, ka dhënë dorëheqjen pasi një afro-amerikan u vra me armë zjarri nga një efektiv policie ditën e premte.
Shields ishte në këtë detyrë që nga dhjetori i vitit 2016 dhe kishte punuar në Departamentin e Policisë së Atlantës që prej 20 vitesh. Ajo do të vazhdojë të punojë në polici, por në një rol tjetër.
27-vjeçari Rayshard Brooks humbi jetën pasi i rezistoi arrestimit kur ishte në gjendje të dehur. Agjentët mbërritën në vendngjarje pasi morën një telefonatë nga ana e një restoranti për një person të dyshimtë që flinte në parking. Personi ishte në gjendje të dehur dhe në momentin kur do i vendoseshin prangat u rebelua, duke i marrë pistoletën me elektroshok njërit prej policëve. Në atë çast, një nga efektivët e qëlloi.
Kjo ngjarje çoi në protesta në Atlanta, me demonstruesit që bllokuan një autostradë, ndërsa restoranti në parkingun e të cilit ndodhi ngjarja, u dogj.
Gjatë 3 javëve të fundit, SHBA është përfshirë nga protesta masive pas vdekjes së George Floyd. (A2 Televizion)