
Një 33-vjeçar nga Sinaballaj i Rrogozhinës u gjet i vrarë mëngjesin e kësaj të marte brenda në automjetin e tij. Ka qenë një grumbullues qumështi i cili ka parë të pajetë Klevis Kapllanin dhe më pas njoftoi Policinë.
Xhami i derës ka qenë i thyer, ç’ka bën të mendohet se është goditur nga jashtë me armë zjarri, që dyshohet të ketë qenë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar krisma armësh.
Kapllani, i cili kishte dy emra, Bledar dhe Klevis, ka qenë i dënuar në Itali për lëndë narkotike dhe prej dy vitesh ishte kthyer në vendlindje.
Banorët e zonës thonë se 33-vjeçari punonte në bujqësi me familjen dhe nuk ishte problematik. Në vendin e ngjarjes Policia gjeti dhe një pistoletë e cila dyshohet se është e viktimës pasi arma nuk është shkrepur. Babai i një fëmije, Kapllani ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e së hënës, por nuk ishte kthyer më në banesë, ndaj dhe dyshohet se ai mund të jetë vrarë gjatë natës. (A2 Televizion)