Analisti Gjergji Vurmo deklaroi në studion e A2 se opozita e ka të detyrueshme një analizë të brendshme pas zgjedhjeve, duke analizuar edhe arsyet që po çojnë drejt një mandati të tretë për qeverinë “Rama”.
“PD-ja tani është para një procesi të brendshëm analize. Është e detyrueshme një analizë e tillë e opozitës. PD nuk duhet të krahasojë veten me vitin 2017. Në vitin 2021, objektivi duhet të ishte krejt tjetër”, tha Vurmo.
Sipas tij, “lidershipi i kontestuar i Lulzim Bashës brenda PD-së dhe opozitës” dhe “mungesa e konsistencës në 8 vite nga ana e PD-së dhe nga ana e zotit Basha, në lidhje me disa çështje, duke nisur nga Reforma në Drejtësi, duke vijuar me hapa të tjerë që ndërmori opozita, me marrëveshjen e vitit 2017 dhe lënien e mandateve”, ishin arsyet e humbjes. (A2 Televizion)