
WhatsApp do të limitojë përdoruesit e saj që të ridërgojnë mesazhin e tyre më shumë se 5 herë, në përpjekje për ti dhënë fund përhapjes së informacioneve false ose lajmeve fake përmes kësaj platforme. Një opsion i tillë është shpallur më herët edhe nga Facebook, një politikë kjo për ti dhënë fund njëherë e mirë lajmeve të rreme.
Lëvizja vjen pasi dhjetëra përdorues u akuzuan për përhapjen e informacioneve apo raporteve të rreme përmes këtij shërbimi. Deri më sot, përdoruesit mund të bëjnë “forward” të njëjtin mesazh më shumë se 20 herë.
Përditësimi i aplikacionit të ridërgimit të mesazheve u lajmërua gjatë një eventi në Indonezi, e cila në muajin prill do të mbajë zgjedhje të përgjithshme parlamentare dhe ky është një hap drejt një fushate të ndershme.
Një zëdhënës i kompanisë tha se qëllimi i përdorimit të WhatsApp është mesazhi privat, me kontakte shumë të ngushta dhe jo për mesazhe publike. Sipas statistikave, një grup WhatsApp-i mund të krijohet mes 256 përdoruesve.
Ndaj në teori, vetëm një përdorues mund të ridërgojë apo rishpërndajë një mesazh po aq herë. Kufizimi vjen në një kohë kur shërbimet e WhatsApp dhe Facebook janë nën vëzhgim për rolin e tyre në përhapjen e propagandës dhe lajmeve fake në internet.
Vetëm një javë më parë, Facebook lajmëroi se ka fshirë 500 faqe dhe llogari, të përfshira në shitjen e lajmeve të rreme në Evropën Qendrore, Ukrainë dhe në disa vende të Evropës Lindore. (A2 Televizion)