Xhaçka: Kosova është në mendjen dhe zemrën tonë në çdo vendim që marrim

Nga A2 CNN
7 Janar 2023, 13:12 | Politikë
Xhaçka: Kosova është në mendjen dhe zemrën tonë

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se Kosova është në epiqendër të çdo vendimi që merr Republika e Shqipërisë. Ajo tha se Shqipëria ka ndjekur me interes ngjarjet në Kosovë në javët e fundit dhe vlerësoi punën e policisë.

“Një zgjidhje e vërtetë, afatgjatë, dhe e qëndrueshme mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje për njohjen e ndërsjellë. Ne jemi absolutisht mbështetës të kësaj qasjeje. Sovraniteti i Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt të pranohet ky sovranitet nga Serbia, aq më mirë do të jetë për rajonin. Retorika nacionaliste dhe kërcënimet për zgjidhje ushtarake vetëm nxisin tensionin dhe ne kemi qenë gjithmonë kundër kësaj. Nuk ka pasur absolutisht në asnjë rast të vetëm asnjë lloj mbrojtjeje të Serbisë duke dëmtuar Kosovën. Në çdo vendimmarrje të Ministrisë së Jashtme, në çdo vendimmarrje të shtetit shqiptar Kosova është gjithmonë në epiqendër, është në zemër, është në mendje dhe absolutisht interesat e saj janë në qendër të çdo vendimi që ne marrim”, tha Xhaçka në një konferencë për mediat.

Ajo vlerësoi vendimin e qeverisë në Prishtinë për të shtyrë zgjedhjet në veri të vendit dhe dënoi veprimet bllokuese nga pala serbe. “Bojkoti i institucioneve, aktet e papranueshme të dhunës kundër policisë, EULEX, gazetarëve e përkeqësuan më tej situatën, duke çuar në tension që mund të kishte degraduar në më keq nga ajo çfarë kemi parë deri tani. Prandaj edhe ne kemi bërë thirrje për t’i dhënë fund këtyre akteve, sigurisht rreshtua krah Kosovës. Ne jemi edhe më të vendosur krah Kosovës, Shqipëria mbështet me shumë vendosmëri sundimin e ligjit në veriun e Kosovës, dënojmë edhe sulmin që ka ndodhur atje ndaj dy qytetarëve të Kosovës me etni serbe dhe e përshëndesim atë që ka bërë policia e Kosovës, duke vepruar shpejt në përpjekje për të zbardhur këtë ngjarje, por edhe në përpjekje për të garantuar siguri për të gjithë”, shtoi Xhaçka. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/07/mandati-i-saj-ne-kushtetuese-xhacka-pres-drejtesine-e-bindur-se-nuk-kam-shkelur-asnje-ligj/
https://a2news.com/2023/01/07/zhvillimet-ne-rajon-xhacka-pergatitemi-per-dergimin-e-kufirit-detare-me-greqine-ne-hage/

A2 CNN Livestream

Latest Videos