
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale i ka bërë thirrje komunitetit maqedonas në Shqipëri që në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të mbështesë kandidatin Vasil Sterjovski, i cili garon nën siglën e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Zaev e cilëson si “historike” ditën kur Serjovski u bë deputeti i parë maqedonas në parlamentin shqiptar. Pasi përmend bashkëpunimin dhe fqinjësinë si vlerë e madhe, i bën thirrje të gjithëve që ta mbështesin PS në zgjedhjet e 25 prillit.
“Dita kur Vasil Sterjovski u bë deputeti i parë maqedonas në parlamentin shqiptar ishte historike. 25 prilli është gjithashtu një ditë e rëndësishme, dita kur ju do të votoni si maqedonas në Republikën e Shqipërisë që Vasili të vazhdojë misionin e tij për të përfaqësuar maqedonasit në Parlamentin shqiptar.
Shtetet sot maten duke zhvilluar fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimi. Njerëzit që kontribuojnë në ndërtimin e urave për të forcuar atë bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë kanë një vlerë të madhe. Kështu është dhe Vasili. Ju bëj thirrje të gjithëve në 25 Prill të votoni numrin 12, të mbështesni Vasil Sterjovskin dhe PS”, shprehet Zaev. (A2 Televizion)