Zbardhen ndryshimet në kodin penal, deri në 8 vite burg për përhapje virusi

Nga A2 CNN
16 Prill 2020, 14:45 | Aktualitet
Zbardhen ndryshimet në kodin penal, deri në 8 vite burg për

Parlamenti miratoi aktet normative për pandeminë dhe amendoi kodin penal për ndëshkimet në kohë fatkeqësie natyrore.

Ne finale, mazhoranca mori parasysh propozimet që presidenti Ilir Meta dërgoi në Kuvend në fillim të seancës. Kreu i shtetit kërkoi qartësi në formulime në mënyrë që qytetarët të mos kenë frikë se do bien pre e procedimit të padrejtë. Duhet bërë dallim të qartë mes dashjes dhe pakujdesisë, thotë Meta, referuar parashikimeve për burg për përhapjen e pandemisë.

Veç formulimeve sqaruese, kreu i shtetit dënimet proporcionale: 2-5 vjet për përhapjen me dashje të sëmundjeve të rënda; 3-8 vjet kur kjo ka sjellë pasoja të rënda për njerëzit, si dhe 5-10 vjet burg dhe jo 15, kur është shkaktuar vdekja e një apo më shumë personave. Në ndërprerje të seancës, mazhoranca i zbuti këto propozime dhe më shumë.

Varianti i fundit i miratuar parashikon dy deri në 5 vite burg për përhapjen me dashje të sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe deri në dy vjet kur vepra kryhet nga pakujdesia. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet burg.

“Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vit.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar  ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.

Neni 89/b

Përhapja e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës I sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.

Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet”.

Varianti final i miratuar

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos