
Është zbardhur nga Policia e Vlorës tentativa e vrasjes së 41-vjeçarit Edison Begaj, ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë dhe është shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur me armë zjarri Begaj, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, 36-vjeçarin Mitri Prifti, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta ka tentuar të vrasë 41-vjeçarin, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.
Burime nga Policia e Vlorës konfirmojnë se Mitri Prifti dyshohet se e ka plagosur Edison Begajn, pas një konflikti që kanë pasur në një lokal në zonën e Lungomares. Gjatë sherrit, Begaj e ka goditur Priftin me shuplakë në publik. Ky moment është filmuar nga kamerat e lokalit, ndërsa ka qenë kyç për zbardhjen e ngjarjes.
Vetë Begaj ka treguar fillimisht në polici në lidhje me sherrin. Pas hetimeve, policia ka arritur të dokumentojë ngjarjen.
Mbetet i paqartë sherri në lokal, pasi Begaj dhe Mitri kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin. (A2 Televizion)