Zbulohet i paprekur dyqani ku mbaheshin ushqime të ngrohta në Pompei. Do të vizitohet për Pashkë

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2020, 12:07 | Aktualitet

Pompei, një nga pasuritë më të jashtëzakonshme të trashëgimisë botërore UNESCO, vazhdon të surprizojë botën.

Së fundmi, kanë dalë në dritë pamjet e një dyqani ushqimoresh rrugore, që tregojnë dy rosa të varura nga këmbët, një gjel, një qen të lidhur dhe që duken sikur janë pikturuar në 3D. Ambienti është pothuajse i paprekur i një Termopiumi, një dyqani ushqimesh rrugore, me pjata të të gjitha llojeve, nga kërmijtë te një lloj "rizoto".

Një zbulim që kthen një fotografi të pabesueshme të ditës së shpërthimit dhe hap studime të reja mbi jetën dhe ushqimin e pompeianëve.

Ajo që është për t'u habitur është zbulimi në enët e Termopoleve të gjurmëve të ushqimit që shiteshin në rrugë. Ishte zakon i pompianëve që të konsumonin jashtë ushqim dhe pije të nxehta. Specialistët e Parkut Arkeologjik të Pompeit po studiojnë materialin për të verifikuar se sa ky zbulim mund të zgjerojë njohuritë mbi zakonet e të ngrënit të epokës Romake.

"Një fotografi e asaj dite katastrofike", komenton drejtori i Parkut Arkeologjik, Massimo Osanna, i cili njofton se: "Do të jetë një dhuratë e Pashkëve për vizitorët".

Ministri i Kulturës, Franceschini, vlerësoi frytin e punës në ekip në Pompei në vitet e fundit: "Një shembull i shkëlqyeshëm për rimëkëmbjen e vendit. Me punën ekipore, e cila kërkonte standarde legjislative dhe cilësinë e njerëzve, sot Pompei po i tregon botës një shembull të mbrojtjes dhe menaxhimit, duke u kthyer në një nga vendet më të vizituara në Itali ku kryhen kërkime, gërmime dhe bëhen zbulime të jashtëzakonshme si ky", shtoi ai.

Punimet e javëve të fundit kanë nxjerrë në sipërfaqe të gjithë mjedisin e tavernës, me banakun e saj të zbukuruar në mënyrë të hollë dhe në formë L dhe vazot me mbetjet e ushqimit dhe pjatat e gatuara që pompianët i konsumonin në rrugë.

Jo vetëm kaq, po aq i rëndësishëm është zbulimi i mbetjeve të dy burrave dhe skeleti i një qeni. Një nga viktimat, një burrë  rreth të 50-ve ishte shtrirë në një ahur në pjesën e pasme të dhomës dhe mund të kishte vdekur nga shembja e papafingos. Mbetjet e tjetrit u gjetën në një vazo të madhe dheu, përveç njërës këmbë që ishte afër banakut. Sipas arkeologëve, mbajtja e fshehtë e skeletit të dytë mund të jetë vepër e ekskavatorëve "ndoshta nga shekulli XVII", të cilët kishin gërmuar një tunel pikërisht pranë kësaj ndërtese.

Restaurimi është ende në proces dhe puna vazhdon edhe në laboratorë, ku analizat do të shoqërohen nga të tjera për të mësuar përmbajtjen e enëve të mëdha prej balte dhe për të pasur më shumë informacion mbi eshtrat e viktimave.

Së shpejti, kjo pjesë e gërmimeve të reja do të jetë e hapur për vizitorët:

Pompei është qyteti romak që u fundos nga shpërthimi i vullkanit Vezuv 2000 vite më parë (viti 79 pas Krishtit). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos