Në rivalitetin midis Lewis Hamilton dhe Max Verstappen tani futet edhe një tjetër legjendë e Formula 1.
Tri herë kampioni i botës, Nelson Piquet, po kritikohet gjerësisht nga opinioni publik për fjalët e tij në një intervistë të dhënë në marsin e kaluar, por që vetëm tani është shpërndarë dhe përkthyer.

Intervista në portugalisht, arrin pikën kulmore kur kampioni brazilian 69-vjeçar komenton një nga momentet më pikante të sezonit të kaluar, aksidenti në Silverstone ku britaniku Hamilton dhe holandezi Verstappen ishin protagonistë të një aksidenti të frikshëm, ku ky i fundit rrezikoi jetën.
“Zezaku e vuri mjetin në mënyrë të gabuar, dhe nuk e la të kalojë”, thotë në një moment Piquet, duke përdorur pikërisht fjalën portugeze “neguinho”.
Një fjalë që përdoret rëndom sipas fansave të Piquet, por që shkoi deri në veshët e Hamilton, të cilit nuk i pëlqeu aspak. “Këto janë mendësi arkaike që duhet të ndryshojnë dhe nuk kanë hapësirë në sport. Kam qenë i rrethuar nga kjo qasje duke u sulmuar gjatë gjithë jetës. Ka pasur shumë kohë për të mësuar, ka ardhur koha te veprohet”, shkruan Hamilton në një postim në rrjetet sociale.

Mesazhet mbështetëse për Hamilton dhe kritike ndaj Piquet nuk kanë munguar, duke thirrur madje për një përjashtim të ish-kampionit brazilian nga hyrja në çdo garë automobilistike, pa kërkesën e tij publike për falje.

Si për të komplikuar çështjen, tashmë Pique ka hyrë disi edhe në familjen Verstappen, nga momenti që vajza e tij Kelly është e lidhur pikërisht me kampionin e botës holandez. (A2 Televizion)