Zgjidhja e fenomenit të blerjes së votës e votimit familjar, Kristaq Kume: Nuk mjafton vetëm ndërhyrja në legjislacion

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2023, 20:32 | Politikë
Zgjidhja e fenomenit të blerjes së votës e votimit familjar,

Kristaq Kume, i ftuar në “Debat” në “A2CNN” nga Alba Alishani ka folur në lidhje me zgjedhjet e 14 Majit dhe problematikat që duhet të marrin zgjidhje sipas tij për të pasur një proces zgjedhor model.

Sipas Kumes janë tre faktorë kryesorë në realizimin e këtij procesi që janë, legjislacioni, vullneti për ta zbatuar atë dhe sjellja e kultura e shoqërisë shqiptare ndaj të drejtës së votës.

Kume shtoi po ashtu se blerja e votës dhe votimi familjar janë probleme që nuk mund të rregullohen thjesht dhe vetëm duke ndërhyrë në legjislacion.

Si po shkojmë në zgjedhjet e 14 Majit? A jemi korrekt kur themi se kemi një problematikë të vjetër që na kërcënon në këtë proces të ri për shkak edhe të mungesës së një reforme zgjedhore të shumë pritur?

Një proces zgjedhor është rezultat i veprimit dhe i bashkëveprimit të një numri të madh faktorësh, mes të cilëve unë do veçoja tre:

Legjislacioni, sa dhe në ç’mënyrë ai trajtohet.

Së dyti, vullneti, kultura për të zbatuar këtë legjislacion.

Faktori i tretë ka të bëjë me sjelljen, me kulturën në përgjithësi të shoqërisë ndaj të drejtës së votës.

Secili prej tyre vepron më vete dhe po ashtu së bashku. Nga këto tre grup faktorësh, i pari, ai që ka të bëjë me legjislacionin është i monitorueshëm dhe i realizueshëm si i tillë. Dhe është detyrë e klasës politike për ta bërë këtë në prag të çdo procesi zgjedhor.

Kurse dy grup-faktorët e tjerë nuk janë faktorë që mund të zgjidhen vetëm dhe kryesisht duke rregulluar legjislacionin, sepse ata janë faktorë që veprojnë në kohë dhe hapësirë. Veprojnë në mënyrë të vazhdueshme.

Blerja e votës nuk mund të rregullohet dot vetëm duke ndërhyrë në legjislacion.

Votimi familjar nuk mund të rregullohet vetëm me legjislacion. Por, prapë do të jetë prezent si fenomen sepse ka forma nga më të ndryshmet.

Ajo që duhet të ishte bërë dhe për të cilën kemi të drejtën e plotë për ta kritikuar është mungesa e angazhimit të partive politike, të Kuvendit të Shqipërisë, të Komisionit për Reformën Zgjedhore që ky vend ka ngritur, për rregullohet që duhet të bëhen në legjislacion, në ato rregullime që kanë të bëjnë me procesin e ardhshëm zgjedhor.

Dhe këtu bën pjesë edhe përdorimi i administratës. (A2 Televizion)

Kristaq Kume në Debat nga Alba Alishani

A2 CNN Livestream

Latest Videos