
“Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar”.
Kështu është shprehur zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Demian Smith, i cili ka marrë detyrën vetëm një javë më parë, në Aktivitetin për Përfundimin e Trajnimit të FBI-së nga Kandidatët për Hetues të BKH-së.
“Sot, kur të ecni nëpër këtë platformë, do të merrni certifikatën e diplomimit tuaj. Do të bëheni hetues të BKH-së. Nga 700 kandidatë, ju jeni të 27-ët që ia dolët mbanë, jeni më të mirët e më të mirëve. Vendi juaj ka nevojë për ju, do të hetoni disa nga krimet më të rëndësishme në këtë vend – korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ju jeni shembull guximi dhe përkushtimi që bëtë përpara për t’i shërbyer vendit tuaj gjatë kësaj kohe të rëndësishme.
FBI-ja filloi gjithashtu me një klasë të vogël të diplomuarish. Në fillim të shekullit të 20 -të, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara nuk kishte agjentët e vet të ligjzbatimit. Në vitin 1908, Kongresi krijoi Byronë e Hetimit.
Klasa e parë e FBI-së ishte vetëm me 34 agjentë. Që nga ai fillim modest, FBI-ja është bërë një agjenci e domosdoshme që e mban vendin tonë të sigurt dhe që mbron institucionet tona demokratike. Ekziston një arsye për suksesin e FBI-së: burra dhe gra të përkushtuar që punojnë çdo ditë për të mbështetur misionin e FBI-së.
Ashtu si klasa e parë e agjentëve të FBI, ju keni mundësinë unike për të ndihmuar në ndërtimin e një BKH më të fortë dhe më të aftë. Trashëgimia juaj, që do të bëhet pjesë e historisë krenare të Shqipërisë, do të jetë një kontribut i madh për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.
Dhënia e drejtësisë për bashkëqytetarët tuaj është një mision i rëndësishëm dhe sfidues. Siç tha Presidenti John F. Kennedy për programin tonë hapësinor në Hënë, ne i bëjmë këto gjëra “jo sepse janë të lehta, por sepse janë të vështira”. Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ju e bëni sepse është e vështirë. Dhe tani po shohim rezultate. Të gjitha institucionet e krijuara nga miratimi i Reformës në Drejtësi në vitin 2016 janë tashmë plotësisht funksionale. Vjet në këtë kohë, Ambasadorja Yuri Kim e uroi Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnajt si Drejtoresha e parë e BKH-së, duke shënuar një gur kilometrazhi kyç në zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un – Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë.
Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar.
Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur. Qoftë për ta zhvilluar BKH-në si institucion; qoftë për të rritur aftësitë profesionale; apo për t’i ofruar ndihmë BKH-së.
Faleminderit shumë të gjithëve. Përsëri, ju lutem pranoni urimet më të mira nga Ambasadorja Kim dhe unë, si dhe nga e gjithë qeveria amerikane. Ne jemi shumë krenarë që të quajmë Shqipërinë, mike”, është shprehur zëvendësambasadori amerikan në Tiranë. (A2 Televizion)