
Joe Biden u kurorëzua zyrtarisht si kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, gjatë konventës së partisë ku nuk i mungoi mbështetja e fortë nga ish-udhëheqës amerikanë.
Dy ish-presidentë, Bill Clinton dhe Jimmy Carter, gjithashtu ish-Sekretari i Shtetit, Colin Powell, një republikan, u rreshtuan krah Biden. Clinton tha se Donald Trump kishte sjellë kaos në Shtëpinë e Bardhë.
“Donald Trump thotë se ne po udhëheqim botën. Epo, ne jemi e vetmja ekonomi e madhe industriale ku niveli i papunësisë është trefishuar. Në kohëra të tilla, Zyra Ovale duhej të ishte qendra e kontrollit, por ajo është bërë qendra e stuhisë. Ka vetëm kaos. Ajo që nuk ndryshon është vendosmëria e tij për të mohuar përgjegjësinë e për t’i bërë bisht fajita”, tha Clinton.
Pas fjalimeve të ish-Zonjës së Parë, Michelle Obama, dhe senatorit Bernie Sanders, mesazhet e së martës synonin të bindnin votuesit se Partia Demokratike është zgjidhja e problemeve brenda dhe jashtë vendit. Cindy McCain, e veja e senatorit republikan John McCain, foli për miqësinë mes bashkëshortit të saj dhe Biden, edhe pse nuk e shpalli zyrtarisht mbështetjen për të.
Ish-Sekretari i Shtetit, John Kerry tha se Trump po e shkëpueste Amerikën me aleatët e po e bashkonte me diktatorët, ndërsa ish-presidenti Carter tha se Joe Biden ka eksperiencën dhe karakterin e duhur për të bashkuar popullin e për t’i kthyer Amerikës madhështinë e saj.
Ndërkaq, Jill Biden, gruaja që mund të bëhet Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, e mbajti fjalimin e saj nga një klasë e boshatisur në një shkollë të mesme të Delauerit, ku ka qenë mesuese anglishteje në vitet ’90: “Barra që po mbajmë është e rëndë dhe na duhet dikush me shpatulla të forta. Unë e di se nëse i besojmë Joe Biden, ai do të bëjë për familjet tuaja atë që bëri për tonën: do të na bashkojë”.
Dy muaj e gjysmë para zgjedhjeve presidenciale, sondazhet sugjerojnë ngushtim të diferencës mes Biden dhe Trump. Konventa ku Biden mori nominimin pas një votimi të regjistruar të delegatëve në 50 shtete, ishte kryesisht virutale për shkak të pandemisë.
Për 77-vjeçarin kjo është hera e tretë që kandidon për Shtëpinë e Bardhë. (A2 Televizion)