14 futbollistë të larguar. Kukësi, nga pretendent për titullin në skuadër të shpërbërë

Nga A2 CNN
28 Shtator 2020, 10:59 | Futboll

Nga skuadra që synonte të shkurorëzonte Tiranën nga froni i futbollit shqiptar, te largimet në masë. Kukësi është shndërruar në një ekip thuajse të shpërbërë, ku emrat më të rëndësishëm kanë prishur kontratat, e disa prej tyre në mënyrë të pakuptimtë.

Rasti më i fundit është ai i mesfushorit Emiljano Musta. Klubi i Kukësit njoftoi prishjen e kontratës me 28-vjeçarin, edhe pse vetëm pak ditë më parë titullari kishte rinovuar për dy vjet. Divorci i papritur i shtohet përfundimit të kontratës së mbrojtësit Obanor, por mbi të gjitha largimit të BrunoTelushit, vetëm pak javë pasi i ishte bashkuar ekipit.

Nga titullarët që nisën sezonin e ri, duke luajtur në kupat e Europës me Slavian e Sofjes dhe më pas me Wolfsburg, 6 prej tyre janë larguar. Nga kapiteni Musolli, te Maliqi, Obanor, Rroca, Telushi e tashmë Musta. Një ndryshim kolosal në një periudhë kur skuadra e drejtuar nga Skënder Gega duhej të ishte gati për startin e kampionatit, që aktualisht është shtyrë prej bojkotit të Ligës Profesioniste.

Në total, numri i lojtarëve të larguar nga Kukësi është rritur në 13. Praktikisht një formacion titullar dhe dy zëvendësues luksi, nga të cilët në fillim të konfirmuar ishin vetëm disa prej yjeve, Kristal Abazaj e Vasil Shkurtaj për të vijuar me Valon Et’hemin. Me ngjarjet e fundit, pikëpyetjet për sezonin e Kukësit janë të mëdha, mbi të gjitha nëse për herë të parë në shtatë sezonet e fundit veri-lindorët do të arrijnë të rivalizojnë për titullin, trofe të cilin e kanë fituar vetëm në edicionin 2016-2017. 

14 LOJTARËT E LARGUAR NGA KUKËSI:
PORTIERË :Ilir Avdyli
MBROJTËS :Olsi Teqja, Gëzim Krasniqi, Erhun Obanor, Edis Maliqi
MESFUSHORË: Emiljano Musta, Valon Ethemi, Besar Musolli, Eduart Rroca, Bruno Telushi
SULMUES :Vasil Shkurtaj, Markovanbasten Çema, Kristal Abazaj, Enis Gavazaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos