
“Ne nuk mund të jemi low cost, por të nivelit të lartë dhe konsumatorëve të mëdhenj”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në bilancin e sezonit turistik veror. Në fjalën e tij kreu i qeverisë e vuri theksin te jahtet dhe portet turistike, por sfida më e madhe sipas tij mbetet shërbimi.
“Çfarë sjellin 400 jahte nuk e sjellin 40 mijë turistë low cost. Ne nuk mbështesim jahtet por ekonominë. Prandaj duhet të krijojmë portet turistike. Sa më shumë anije të vogla turistike dhe sa më shumë turistë që kur prekin tokën konsumojnë personi 50 herë më shumë se njëri që vjen përmes tokës”.
Rama tha se historia e fshatrave turistike është e mbyllur, duke ia lënë vendin një sfide të re, atë të ARBNB, që do të taksohet në një periudhë të caktuar.
“Historia e fshatrave turistike është e mbyllur sidomos në zonat strategjike ku synojmë maksimumin e cilësisë. Një natyrë tjetër fshatrash turistikë ku pjesa rezidenciale është e lidhur me hotelin dhe ARBNB është sfida jonë e re. Është fluks i madh të ardhurash që deri tani nuk ka shqetësim për shtetin, Nëse shkojnë direkt për familjet, por nuk mund të jenë një fluks të ardhurash që rritet dhe mbetet e patakasuar kemi gjetur rrugën ëpr të ha[ur një diskutim me ta, por do të jemi më të ngadaltë për faktin se kemi nevojë t’u lëmë frymëmarrje familjeve për një periudhë të caktuar”.
Thembra e Akilit, për kryeministrin Rama është shërbimi dhe krahu i kualifikuar i punës, të cilën e konsideroi një sfidë të përbashkët, ndërsa akuzoi bizneset për mos deklarim transparent.
“E di që pagat në industrinë turizmit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, se kemi probleme të rritjes dhe nevojës për t’u rritur më shumë, por nuk mund të rriteni vetëm ju dhe shteti të mos rritet. E kemi vënë me bindje TVSH 6%, por nuk kemi marrë atë që na takon si shtet nga kjo TVSH. Në Shqipëri nuk ka pasur asnjë dhomë bosh, si shpjegohet që në deklarimet tuaja keni pasur dhoma bosh?”.
Rama i siguroi se vitin e ardhshëm shteti do të marrë atë që i takon.
“Vitin e ardhshëm do të kemi një pagë referencë, shteti do të marrë atë që i takon, nuk ka shanse që shteti të marrë nën atë që i takon. Deklarimi i çmimeve është jo transparent. Vitin e ardhshëm nuk do të pranojmë teorinë që kemi pasur dhoma bosh. Të gjitha të tjerat do t’i paguani sipas intensitetit të sezonit. Nuk ka shans më që të deklarohen çmime jo reale të njëjtën gjë si me ndërtuesit. Nevojat janë shumë më të ëmdha për ju dhe ata që do të vijnë”.
Në fund kreu i qeverisë e përmbylli me nota optimizmi dhe tha se brenda kësaj dekade Shqipëria turistike do të shtrihet në të 12 muajt e vitit.
“Dhe për ta mbyllur me një notë të lartë optimizmi kam bindjen që ne vitin e ardhshëm do ta çojmë në shkallë tjetër turizmin në Shqipëri. Ne do të shtrijmë kohën e Shqipërisë turistike në të 12 muajt brenda kësaj dekade. Siç po bëjmë me bregdetin, atë do të bëjmë edhe me pjesën malore të Shqipërisë”. (A2 Televizion)