30-vjetori i masakrës në sheshin Tiananmen, Kina censuron CNN

Nga A2 CNN
4 Qershor 2019, 12:55 | Bota
30-vjetori i masakrës në sheshin Tiananmen, Kina censuron CNN

Kina censuron çdo mbulim apo diskutim të mediave lidhur me masakrën e sheshit Tiananmen, ndërsa e gjithë bota përkujton 30-vjetorin e ngjarjes së përgjakshme.

Qindra persona u vranë më 4 qershor të vitit 1989, pasi Ushtria Popullore shtypi protestuesit pro-demokracisë në Pekin. Evente të ndryshme përkujtojnë masakrën dhe ata që humbën jetën gjatë masakrës në qytete të shumta përreth botës. Në Tajvan, një version i imazhit ikonik të “Njeriut Tank”, i cili sfidoi ushtrinë ndërsa ata u futën në Sheshin Tiananmen, u ekspozua për disa javë.

Ndërsa në Uashington aktivistët manifestojnë në përkujtim të zhvillimeve që ndryshuan përgjithmonë historinë e Kinës. Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se masakra nxiti ndërgjegjësimin e qytetarëve për përkrahjen e lirisë në të gjithë botën.

“I bëjmë thirrje Kinës që të lirojë të gjithë të ndaluarit që kërkuan të ushtronin të drejtat e tyre të njeriut dhe liritë themelore, të ndalojë arrestimet arbitrare dhe të heqë politikat kundërproduktive që nxisin terrorizmin me natyrë fetare dhe politike”, tha Pompeo.

Eventi më i madh mbahet në Hong Kong, në të vetmin vend të Kinës ku mbahen përkujtimet në masë. Megjithatë, autoritetet e Pekinit do të vëzhgojnë situatën me kujdes për të parandaluar ndonjë përpjekje për të përkujtuar masakrën. Kina po bën çdo gjë që mundet për të fshirë nga historia ngjarjet e 4 qershorit, përfshirë censurimin në internet, televizionin dhe media të tjera që përmendin gjakderdhjen në sheshin Tiananmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos