9 vite me radhë, Juventus ruan fronin në Itali

Nga A2 CNN
27 Korrik 2020, 08:15 | Futboll
9 vite me radhë, Juventus ruan fronin në Itali

Askush nuk mund ta ndalë Juventusin në Itali. Për të nëntin vit me radhë, “Zonja e Vjetër” festoi fitimin e titullit kampion, një rekord absolut në kampionatet kryesore të Evropës. Bardhezinjtë mposhtën 2-0 Sampdorian për të siguruar matematikisht kampionatin numër 36 në historinë e klubit torinez.

Pas një sërë rezultatesh negative në javët e fundit, Juventus arriti të marrë pikët e nevojshme duke mbyllur përfundimisht llogaritë. Cristiano Ronaldo i dha frymëmarrje skuadrës duke zhbllokuar ndeshjen në fundin e pjesës së parë.

Ylli portugez arriti në 31 gola këtë sezon, një tjetër rekord me Juventusin, ndërsa është ende në garë me sulmuesin e Lazios, Ciro Imobile që ka shënuar 34 herë në Serinë A, për Këpucën e Artë në Itali dhe Evropë.

Fitorja përballë Sampdorias u vulos nga Bernardeski, që dërgoi topin në rrjetë pas tentativës sërish nga ana e Ronaldos. Vërshëllima finale nisi festën e bardhezinjve të cilët tashmë mund të pushojnë të qetë deri në sfidën e 8 gushtit në Champions League, përballë Lyon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos