
Karantina duket se ka ndikuar për mirë edhe te Elseid Hysaj, i cili ka treguar një formë të jashtëzakonshme në ndeshjen e së shtunës ndaj Sassuolo-s ku realizoi edhe golin e parë në Serie A.
Paraqitja e Hysajt në këtë ndeshje nuk ka mbetur pa u vënë re edhe nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Me anë të një statusi në Facebook, Duka ka vlerësuar Hysajn për formën që po kalon, ndërsa uron që shkodrani të ruajë këtë ritëm edhe në muajin shtator, atëherë kur kombëtarja do të nisë ndeshjet në Nations League.
“I lumtur për golin e parë me Napolin në Serinë A të Elseid Hysajt! Një realizim i shkëlqyer nga mbrojtësi shkodran, që ndihmoi skuadrën të merrte atë fitore 2-0 ndaj Sassuolos. Më vjen mirë që e pashë në formë të shkëlqyer dhe uroj të vazhdojë kështu, sepse në shtator Kombëtarja Shqiptare nis aventurën e saj në Nations League dhe kuqezinjtë do të kenë nevojë edhe për klasin e tij. Edhe një herë, shumë urime Elseid Hysaj”, shkruan Duka. (A2 Televizion)