
Zgjedhjet e 25 prillit u trumbetuan me të madhe nga Partia Demokratike si masakër zgjedhore, por për këtë term ka pasur debate në PD, ka zbuluar në një “Intervistë me Merita Haklaj” në A2 CNN, Oerd Bylykbashi.
Ai u shpreh se masakër zgjedhore ka pasur në vitin 2001 dhe se Bashës i pëlqeu termi për ta përdorur edhe këtë herë.
“Raporti i ODIHR i ka nënvizuar problemet e zgjedhjeve të 25 prillit. Çështja kryesore e opozitës duhet të kishin qenë zgjedhjet dhe jo nxitimi i skajshëm i Bashës të rikonfirmonte veten. Ky proces shoi procesin ankimor dhe vërtetimin e shkeljeve gjatë zgjedhjeve te OSBE/ODIHR. Në mbledhje kryesie, unë kam refuzuar hapjen e procesit për zgjedhjen e kryetarit si krejtësisht i pavend dhe që do të kishte pasojë në shuarjen e momenteve të rëndësishme tonat. Kemi pasur një debat edhe nëse ishin këto zgjedhje masakër apo jo. Masakër ka qenë vitit 2001. Bashës i pëlqeu termi masakër për ta përdorur”.
Më tej në intervistë, Bylykbashi theksoi se Basha u fut në zgjedhjet e 25 prillit me objektiva humbëse.
“Nuk ka pikën e diskutimit që Rama i vendosi një objektiv vetes të merrte 750 mijë vota sa i duheshin dhe ato do t’i arrinte me çdo kusht. Basha i vendosi objektivin partisë dhe ne u përpoqëm të jepnim maksimumin, një objektiv që ishte në nivel humbës”, tha Bylykbashi. (A2 Televizion)