
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) prezantoi programin zgjedhor. Në të përfshihet një fond 1 miliard euro për rimëkëmbjen e ekonomisë, pas dëmeve të mëdha nga pandemia koronavirus.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në zgjedhjet e 14 shkurtit hyjnë për fitore, edhe pse synon postin e Presidentit dhe jo atë të kryeministrit. Gjatë prezantimit të programit, nuk munguan dhe kritikat ndaj ndërkombëtarëve: “Nëse jam gjallë atë ditë, kam me dalë me kërku referendum, në cilëndo pozitë që jam, kudo qofsha, i lus të gjithë ta kuptojnë, nuk është koha e ndarjeve më, i kemi humb shumë kohë vendit, jemi marrë shumë me njëri-tjetrin, është koha ta japim secili pjesën tonë, që të kryejmë të paktën ato që kryhen në Kosovë, që mos t’u lëmë asnjë arsyetim aleatëve pa e ecë Kosovën, pa na njohtë pesëshja e BE-së, pa shkuar drejt statusit të kandidatit të BE-së, që është diçka elementare, pa qenë anëtarë të NATO-së dhe anëtar i OKB-së. Nëse BE nuk e kupton këtë situatë, atëherë jam thellë i bindur, nuk kam lyp referendum deri sot, hera e parë që po e lyp zyrtarisht, po paralajmëroj që në 2025-n, nëse Kosova nuk i ka mbërritur rezultatet e drejta që i takojnë me i mbërrit, me anëtarësimin drejt BE-së, NATO dhe OKB, atëherë unë do të votoj bashkim me Shqipërinë”.
Zhvillime ka pasur edhe nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për president, Vjosa Osmani, mbajtën një bashkëbisedim online me diasporën dhe garën e 14 shkurtit e konsideruan një referendum.
“Pas dekadës së parë e cila ishte ajo e çlirimit dhe rindërtimit të vendit, ne patëm dekadën e dytë, e cila ishte ajo e pavarësisë dhe njohjet që morëm. Tani ne duhet të kalojmë në dekadën e tretë, e cila duhet të jetë ajo e drejtësisë dhe zhvillimit, që do të thotë luftë kundër korrupsionit dhe punësimi i njerëzve, në veçanti i të rinjve dhe grave dhe zhvillimi ekonomik i vendit tonë”, tha Kurti.
Partia Demokratike e Kosovës fushatën e ka përqendruar kryesisht te programi për rimëkëmbje ekonomike. Kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, tha se fondi prej 1 miliard euro do të ketë si synim lehtësimin e jetesës së qytetarëve, duke rritur pensionet deri në 40% dhe ndihmat sociale mbi 30%, për të gjithë përfituesit. (A2 Televizion)