
Abaz Doga, 65-vjeçari i arrestuar për abuzimin seksual të një 15-vjeçareje dyshohet se të njëjtin veprim e ka kryer dhe me dy vajza të tjera të mitura.
Hetimi i prokurorisë ka shkuar më tej pas verifikimit të celularit të Dogës i cili përdorte filmime të bëra prej vetë tij për të shantazhuar vajzat e mitura.
E gjithë ngjarja ka nisur një vit më parë në muajin mars kur Doga përndiqte 15-vjeçaren dhe e kërcënonte se do i tregonte prindërve të saj që ajo dilte me shoqet larg shtëpisë. E gjendur përballë këtij presioni ajo ishte detyruar ta takonte, por nuk dinte se makthi do të fillonte pikërisht aty.
Pas abuzimit seksual 65-vjeçari e shantazhoi të miturën për një vit rresht ndërsa refuzimi i saj për disa kohë bëri që Doga të shkruante emrin e saj në çdo mur të lagjes duke i bërë të ditur se nëse nuk shkonte tek ai, situata do përkeqësohej.
Abuzimi ka ngritur një sërë pikëpyetjesh në institucionet arsimore, por edhe mes radhëve të policisë për të cilat ka nisur hetimi nga shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesave.
Abaz Doga punonte si roje në shkollën 9 vjeçare “Azem Hajdari” dhe pavarësisht denoncimit tek drejtori i shkollës rasti u kalua me largimin nga puna të 65-vjeçarit pas një viti. Në të njëjtën shkollë si roje punon djali i tij, i cili pavarësisht se ka dënuar veprimin e babait nuk është marrë asnjë masë për largimin pasi vajza ndihej e kërcënuar.
Krahas kësaj oficerët e sigurisë nga radhët e policisë, por edhe psikologët mungojnë. I plotfuqishmi i lagjes nga radhët e uniformave blu nuk kishte dijeni për abuzimin edhe pse vijonte prej një viti rresht ndërsa babai i të miturës hodhi akuza ndaj bluve. (A2 Televizion)