Ahmetaj lë Shqipërinë, PD aludon se ndodhet në Kanada. SPAK ende pa përgjigje nga Kuvendi

Nga A2 CNN
11 Korrik 2023, 22:55 | Politikë
Ahmetaj lë Shqipërinë, PD aludon se ndodhet në Kanada. SPAK

4 orë mbledhje me dyer të mbyllura në Kryesinë e Kuvendit nuk i mjaftuan Këshillit të Mandateve për t’i dhënë një përgjigje Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Arben Ahmetajt. Lajmi i vetëm që prodhoi ky takim ishte konfirmimi i avokatit mbrojtës Henrik Ligori që deputeti socialist, i cili kërkohet nga drejtësia për t’i vënë prangat, nuk ndodhet në Shqipëri.

Opozita nuk ka marrë një përgjigje nga SPAK, duke ruajtur sekretin hetimor, se pse në dosjen që ishte vënë në dispozicion Kuvendit nuk ishte emri i Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Si një deputet që ka akses në dosjen e incineratorëve, Gazmend Bardhi pretendon se në dokumentat që ka lexuar janë të shkruar edhe emra të tjerë të mazhorancës.

Mazhoranca nuk kishte pyetje mbi akuzat konkrete që rëndojnë ndaj ish-zv/kryeministrit, përveçse shqetësimeve teknike nëse SPAK ka patur presion politik dhe nëse kërkesa për arrest i plotëson kriteret. Dumani konfirmoi që kërkesa është e arsyetuar me prova.

Deputetët e mazhorancës mbështetetën kërkesën e përfaqësuesve ligjorë të Arben Ahmetajt për ta shtyrë mbledhjen ditën e mërkurë, në orën 16:00, me argumentin që duhet të njihen me dosjen. Ndërsa opozita e kundërshtoi, por pa fuqi për të ndryshuar vendimin e deputetëve socialist.

Përveçse diskutimeve me dyer të mbyllura, në këtë mbledhje Kuvendi nuk lejoi as të shkrepet një fotografi. Kjo është bërë arsye që demokratët dhe socialistët për më shumë se 60 minuta të përplasen verbalisht me akuza ndaj njëri-tjetrit, në prani të kreut të SPAK, prokurores Enkeleda Minollai, agjentëve të BKH-së dhe dy avokatëve të Ahmetajt.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos