
“Kosova dhe Serbia të angazhohen për gjetjen e një kompromisi me dialog”. Kjo ka qenë deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Albin Kurti, që i parapriu takimit mes dy liderëve në pallatin Elysee.
Kreu i shtetit francez ftoi dy vendet të kthejnë sytë nga e ardhmja dhe premtoi se do të kenë mbështetjen e Francës për arritjen e marrëveshjes.
“Unë i ftoj Kosovën dhe Serbinë për t’u angazhuar si evropianë në gjetjen e një kompromisi që do t’i bëjë Beogradin dhe Prishtinën të kthehen drejt një të ardhmeje evropiane. Do të keni mbështetjen tonë. Afërsia me BE-në, normalizimi i marrëdhënieve, për zhvillimin e qëndrueshëm, po ashtu me përfaqësuesin Lajçak, sikur një popull me vullnet të madh politik nga ana e të dyja vendeve në fjalë, juve dhe z.Vuçiç”, tha presidenti Macron.
Ndërsa kryeministri Kurti pasi falënderoi presidentin francez për ftesën, ritheksoi angazhimin e Kosovës për të qenë pro aspiratave europiane.
“Jam i nderuar të jem këtu me ju, me presidentin e një shteti të fuqishëm. Është privilegj dhe përgjegjësi si kryeministër i shtetit më të ri në Evropë. Të jem para pallatit presidencial francez duke marrë parasysh se Kosova do të jetë gjithmonë pro aspiratave evropiane”, është shprehur Kurti. (A2 Televizion)