Alibeaj: Vrasja e 25-vjeçarit e rëndë, por përdorimi politik i policisë edhe më i rëndë

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2020, 13:40 | Politikë
Alibeaj: Vrasja e 25-vjeçarit e rëndë, por përdorimi

Kreu i Departamentit të Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, u shpreh në A2 se vrasja e 25-vjeçarit është shumë e rëndë, por akoma më i rëndë është përdorimi politik i forcave policore.

“Edhe në këtë situatë, kur është bërë e ditur se çfarë ka ndodhur, sërish ky njeri vazhdon me linjën e vet për t’iu shmangur përgjegjësisë, për të gjetur armiq imagjinarë. Ajo që ka ndodhur është vërtetë e rëndë. Vrasje pa arsye prej shtetit, por ajo që është më e rëndë është përdorimi politik i forcave policore, shndërrimi i tyre në një falangë të pushtetit. Kjo duket në shterpësinë e argumenteve të Ramës.

Një pjesë të rinjsh, të cilët në një situatë mbytëse të shtetit, kanë gjetur këtë mënyrë për të shprehur indinjatën e tyre. Nuk kujtoj një ngjarje të vetme ku përballë përgjegjësisë publike që duhet të marrë shtetari, Rama t’i qëndrojë përballë, gjithmonë është shmangur dhe është përpjekur për të vërtetën dhe për t’ia servirur publikut. Këtë bëri edhe për ngjarjen e fundit. Kjo ngjarje kaq afër procesit zgjedhor, nuk është gjë tjetër veçse një hallkë nga një seri ngjarjesh të tjera të përdorimit politik të qeverisë”.

Më tej, Alibeaj u shpreh se opozita nuk mund të priste këtë ngjarje në prag të zgjedhjeve për kredo politike. “Shqiptarët kanë plotë argumente për ta rrëzuar këtë regjim policor. Janë 7 vite premtimesh të pambajtura nga qeveria. Ky regjim policor duhet rrëzuar një orë e më parë dhe kjo do të ndodhë më 25 prill”.

Alibeaj komentoi edhe vendimin e qeverisë që trajton me pension familjen Rasha, që e cilëson aksidentale humbjen e jetës së 25-vjeçarit. Ai theksoi se ky është një sinjal që Rama u ka dhënë drejtësisë.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që në tekstin e një vendimi qeverie të shënohet edhe motivi. Për këtë ka qenë më shumë i interesuar Rama. Pse e ka bërë? Për një arsye që ai e di mirë se kjo çështje do të shkojë në spiralen e drejtësisë. Me këtë akt i ka çuar sinjale të qarta drejtësisë. Po flasim për një drejtësi të gjymtuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos