Alma Lama: Shumicën e marrëveshjeve të mini-Shengenit, Kosova dhe Serbia i kanë

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2019, 15:05 | Aktualitet
Alma Lama: Shumicën e marrëveshjeve të mini-Shengenit, Kosova dhe

Ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lamaj ishte e ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2, ku foli rreth samitit të mini-Shengenit që pritet të mbahet në Durrës dhe negociatat që po zhvillohen aktualisht në Kosovë mes Vetëvendosje dhe LDK për krijimin e koalicionit qeverisës.

Sipas Lamajt, shumica e marrëveshjeve që pretendohet të arrihen në inciativën e mini-Shengenit, Kosova i ka të nënshkruara me Serbinë, me ndërmjetësimin e Brukseli, por thjesht Beogradi zyrtar nuk i zbaton ato. Ajo shtoi se Kosova duhet të marrë pjesë në këtë samit për të vënë me shpatulla pas murit Serbinë.

“Iniciativa e mini-Shengenit duhet të shtyhet për faktin e thjeshtë se qeveria e Kosovës nuk është krijuar ende. Kosova ka 1 milion arsye për të refuzuar çdo lloj bashkëpunimi me Serbinë. Ka të drejtë t’ia kërkojë dhe Tiranës, jemi një Komb. Shumica e marrëveshjeve që pretendohet të nënshkruhen, Prishtina i ka nënshkruar me ndërmjetësimin e Brukselit. Unë mendoj se shumicën e marrëveshje Kosova me Serbinë i ka të nënshkruara, por kemi një problem madhor që Serbia nuk i zbaton. Nëse Tirana detyron Serbinë të zbatojë këto marrëveshje, do të ishte një arritje. Mendoj që Kosova duhet të marrë pjesë në këtë samit për të vënë me shpatulla pas murit Serbinë që vazhdon të bëjë lojëra”, tha Lamaj.

Për çështjen e negociatave për koalicionin qeverisës mes Vetëvendosje dhe LDK, Lamaj tha se ka një klimë mosbesimi mes palëve dhe se partia e Albin Kurtit nuk e ka luksin të luajë me elementin përjashtues përsa kohë nuk i ka shifrat për të qeverisur e vetme.

“Ajo që po ndodh aktualisht në Kosovë në lidhje me bisedimet mes Vetëvendosje dhe LDK ka një risi sepse Vetëvendosja ka përjashtuar të gjitha palët e tjera nga një formulë e një koalicioni të mundshëm. Mirëpo shihet që ka një klimë të madhe mosbesimi e cila dallohet dhe në daljet publike. Për sa i përket presidentit, kjo gjë ka ndodhur në të gjitha rastet, sidomos me Lidhjen Demokratike. Vetëvendosja ka vetëm 29 deputetë, një më shumë se LDK dhe së bashku nuk e bëjnë dot as shumicën e thjeshtë pa pasur dhe minoritetet. Ata duhet të marrin dhe minoritetet në koalicion sepse kjo është formula. Kosova është një vend ende në tranzicion dhe nuk e ka luksin të funksionojë në mungesë të qeverisë. Klima e mosbesimit mes këtyre dy subjekteve politike është krijuar shumë më herët që gjatë kohës kur Mustafa ishte kryeministër, pasi opozita e atëhershme, ku ishte dhe Vetëvendosje ka bërë një opozitë radikale. Në një koalicion nuk duhet të ketë dominancë, por marrëveshje”, shtoi Lamaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos