Avokati i njohur Saimir Vishaj ishte i ftuar në studion e Ditarit në A2, ku foli për efektet e reformës në drejtësi dhe ku do të ndjehen në fillim ato.
“Risia dhe një nga produktet që ne arritëm në këto 3 vjet të reformës në drejtësi nuk ka të bëjë vetëm me subjektet e rivlerësimit që po largohen disa prokurorë dhe gjyqtarë të cilët nuk plotësojnë një nga kriteret për të cilat ata rivlerësohen nga KPK, por unë mendoj dhe duhet të jemi optimistë dhe të ngjallim kënaqësi në sytë e qytetarëve, është zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm. Për herë të parë pas viteve 1990 kemi një prokuror të përgjithshëm, jopolitik. Pra kësaj radhe politika nuk ka tentuar as të votojë askënd, i cili ka vëmendjen e pozitës apo opozitës, por ka qenë produkt i ligjeve të reformës në drejtësi. Zgjedhja prokurorit të përgjithshëm nga KLP ishte një meritokraci. Prokurori i ri është një produkt jashtë kontureve politike dhe i zgjedhur me profesionalizëm”, u shpreh Vishaj.
Më tej, Vishaj foli dhe për vendimin më të fundit të Dhomës së Avokatëve Penalistë e cila do të ofrojë shërbime falas për personat e prekur nga tërmeti. Kreu i kësaj shoqate sqaroi detajet se si avokatët penalistë do t’iu vijnë në ndihmë këtyre personave që tashmë kanë humbur shumë nga tërmeti.
“Rreth 1300 avokatë, që janë të gjithë anëtarë të Shoqatës së Avokatëve Penalistë, me ndryshimet e reja që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale, përveç të pandehurit që duhet të ketë një avokat, i ndaluari apo i shoqëruari, tashmë edhe viktimat që pësojnë dëm nga veprat penale duhet të jenë të përfaqësuar dhe të mbrojtur nga një avokat që në momentin e hetimit paraprak apo në fazën e gjykimeve. Të gjithë viktimat kanë të drejtën të kenë të paktën deri në 2 avokatë në fazën e parë të hetimit, të marrin informacion, të kërkojnë ndëshkimin e subjektit. Por edhe në gjykim të jenë avokatët ata që të përfaqësojnë me dinjitet të gjitha të drejtat proceduriale të viktimës”, tha Vishaj. (A2 Televizion)