Anulimi i mbledhjes së 2 qeverive, Kurti: Vendim i paarsyeshëm, nuk zëvendësohej me takim tjetër  

Nga A2 CNN
14 Qershor 2023, 17:18 | Kosova
Anulimi i mbledhjes së 2 qeverive, Kurti: Vendim i paarsyeshëm, nuk

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Ai ka thënë se anulimi ka ndodhur nga homologu i tij, Edi Rama dhe sipas Kurtit një gjë e tillë është e paarsyeshme. Kurti ka thënë se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.

 “Kjo mbledhje është përgatitur muaj më parë dhe me kryeministrin Rama ne jemi në kontakt dhe takohemi shpesh, mirëpo mbledhjet e dy qeverive janë diçka tjetër, nuk mund të zëvendësohen mbledhjet e qeverive me takime të kryeministrave për shkak se ne duhej të nënshkruanim 13 marrëveshje. Ka ndodhur një anulim nga ana e kryeministrit Rama e mbledhjes që është dashur të mbahet sot. Në ditën e lidhjes së Prizrenit, 10 qershorin, 145 vjetori i kësaj ngjarje të madhe, të shtunën ne ishim në drekë dhe në ceremoni me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të shtunën flisnim se si të mërkurën do ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Asnjë ministër nuk e ka bërë asnjë vërejtje për asnjërën nga marrëveshjet, gjithçka është dashur të shkojë si është më së miri por ky anulim u bërë nga ana e kryeministrit Rama, ndërsa anulimi i mbledhjes si duhet të quhet, nuk më përket mua”, tha Kurti.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin planifikuar të zhvillonin mbledhjen e nëntë të përbashkët. Mbledhja në Gjakovë do të mbahej disa ditë pasi kryeministri Rama u dërgoi draft-dokumentin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe Kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Mirëpo, Rama njoftoi anulimin e saj duke thënë se “E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/13/takimi-nderqeveritar-ne-gjakove-rama-nuk-mund-te-mbahet-ne-formatin-e-parashikuar/

A2 CNN Livestream

Latest Videos