Mesazhi surprizë në shishe, befasia e madhe pasi kontaktuan numrin e telefonit

Nga A2 CNN
11 Qershor 2025, 11:32 | Lifestyle

Mesazhi surprizë në shishe, befasia e madhe pasi kontaktuan numrin e

Në ishullin Anna Maria, në bregun perëndimor të Floridës, oqeani zbardhi një sekret të harruar prej vitesh. Josie Law, një vajzë 11-vjeçare, gjatë një shëtitjeje buzë detit, zbuloi një shishe me një letër brenda – një mesazh që kishte udhëtuar për më shumë se shtatë vjet.

“Dukej si një copë mbeturinë, por kur u afrova, kuptova që ishte një shishe me një mesazh”, tregoi Josie për mediat lokale. Ajo ia tregoi menjëherë nënës së saj, Paris Hoisington. Brenda shishes ndodhej një letër e datës 17 gusht 2018, me një mesazh të çuditshëm: “Për këdo që e gjen këtë. Do të gëzoheni që e keni gjetur. Pse? Sepse do të më njihni nga ky numër”.

Në vend që të telefononte, Paris dërgoi një mesazh dhe u habit kur mori përgjigje nga një vajzë 21-vjeçare që jeton sot në Haëaii. Ajo kishte qenë vetëm 13 vjeç kur, bashkë me vëllain e saj 8-vjeçar, hodhën shishen në det si pjesë e një eksperimenti fëmijëror.

Meteorologët shpjegojnë se një shishe mund të përshkojë mijëra kilometra përmes rrjedhave oqeanike, nga Paqësori në Atlantik, duke kaluar përmes Azisë, Amerikës së Jugut dhe Afrikës. Por edhe pse kjo ngjarje tingëllon si një përrallë moderne, mbetet një sinjal alarmi për ndotjen e oqeaneve.

Sipas Greenpeace, çdo vit në det hidhen mbi 8 milionë tonë mbeturina. “Ishte një ide argëtuese si fëmijë, por sot kuptojmë se nuk ishte e duhura”, tha autorja e mesazhit, duke mbështetur vetëdijesimin mjedisor për të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos