Dasma e vitit në Palermo: Dua Lipa dhe Callum Turner nisin festimet madhështore, sonte pritet Elton John

Nga A2 CNN
6 Qershor 2026, 09:48 | Showbiz

Dasma e vitit në Palermo: Dua Lipa dhe Callum Turner nisin festimet

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner kanë nisur festimet e martesës së tyre në Palermo të Italisë, në një atmosferë luksi dhe privatësie që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Mbrëmjen e së premtes, çifti organizoi një festë ekskluzive në qendrën historike të Palermos, ku muzika dhe vallëzimi vazhduan deri në orët e para të mëngjesit. Dua Lipa u shfaq me një fustan të bardhë elegant, ndërsa Turner me një kostum bezhë dhe këmishë të bardhë, shkruan A2CNN.

Mes të ftuarve të njohur ishin Charli XCX, Mark Ronson, Peggy Gou, Donatella Versace dhe personalitete të tjera nga bota e muzikës dhe modës. Sipas mediave italiane, sonte në festën kryesore që do të mbahet në Villa Valguarnera në Bagheria pritet të marrë pjesë dhe të performojë legjenda e muzikës, Elton John.

Masat e sigurisë janë jashtëzakonisht të larta. Zona përreth vilës është mbyllur për qarkullimin e automjeteve, ndërsa një urdhëresë bashkiake ka ndaluar parkimin deri më 8 qershor për të garantuar privatësinë e çiftit dhe të ftuarve.

Megjithatë, organizimi i dasmës ka shkaktuar edhe polemika në Palermo. Disa banorë kanë protestuar kundër kufizimeve të vendosura në qytet, duke vendosur pankarta me mesazhe si “Palermo nuk është me qira”. Pavarësisht kritikave, autoritetet lokale kanë mbrojtur organizimin e eventit, duke theksuar se qyteti nuk i është “dorëzuar” askujt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos