“Michael” shkruan histori, filmi biografik më fitimprurës në histori

Nga Rosalba Bejdo
29 Qershor 2026, 15:25 | Showbiz

“Michael” shkruan histori, filmi biografik më fitimprurës

“Michael”, kushtuar jetës së Mbretit të Pop-it, Michael Jackson, ka hyrë në histori si filmi biografik me fitimet më të larta të të gjitha kohërave.

Që prej premierës në muajin prill, produksioni ka arkëtuar rreth 977 milionë dollarë në kinematë e mbarë botës, duke lënë pas filmin “Oppenheimer” të regjisorit Christopher Nolan, i cili mbante deri më tani rekordin për një film të bazuar në jetën e një personazhi real.

Me regji të Antoine Fuqua, filmi rrëfen rrugëtimin e Michael Jackson, nga fëmijëria si pjesë e grupit Jackson 5 deri në shndërrimin e tij në një ikonë botërore të muzikës. Në rolin kryesor interpreton nipi i artistit, Jaafar Jackson, i cili është vlerësuar gjerësisht nga publiku për ngjashmërinë dhe interpretimin e tij, shkruan A2 CNN.

Megjithatë, suksesi në arkëtime nuk është shoqëruar me të njëjtin entuziazëm nga kritika. Shumë e kanë cilësuar filmin si një portret të idealizuar të këngëtarit, duke e kritikuar për shmangien e akuzave për abuzim seksual që kanë shoqëruar figurën e Michael Jackson gjatë viteve. Për këtë arsye, disa media e kanë quajtur filmin një version të “pastruar” dhe të paplotë.

Pavarësisht polemikave, publiku e ka pritur me interes të madh filmin. Suksesi i tij ka rikthyer edhe muzikën e Michael Jackson në krye të platformave muzikore. Kënga “Billie Jean” renditet ndër më të dëgjuarat në Spotify, ndërsa artisti ka qenë emri më i transmetuar në YouTube në Mbretërinë e Bashkuar gjatë javëve të fundit.

Sipas mediave amerikane, studio Lionsgate pritet të realizojë edhe një film tjetër kushtuar jetës së legjendës së muzikës pop. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos