
Arrestimi i Lefter Kokës nuk i bën përshtypje kryeministrit Rama, për sa kohë, inceneratori i Elbasanit është vënë në funksion. Duke komentuar rastin në Facebook, kreu i qeverisë ka shprehur krenarinë për punën e bërë me impiantet e përpunimit të mbetjeve, por dhe me reformën në drejtësi.
Impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve, që i kanë hapur rrugën e shpëtimit afatgjatë nga ndotja e rëndë e plehrave zonës së Elbasanit, Tiranës e Fierit gjithashtu, edhe Reforma në Drejtësi po se po, janë vepra të shumicës sonë qeverisëse për të cilat unë jam e do të jem gjithnjë krenar, kështu që euforia baltosëse e atyre që bëjnë politikë me akuza e me moton shpif e shpif se diçka do të mbetet, për arsye të ndalimit dje nga SPAKU të ish-ministrit të Mjedisit, nuk më bën asnjë përshtypje, sepse nga njëra anë investimi në Elbasan është aty, në sytë e të gjithëve e në bazë të kontratës tanimë ai është pronë publike e bashkisë së Elbasanit.
Edi Rama, Kryeministër / FB
Ashtu siç kishte bërë më herët me Elvis Roshin, Saimir Tahirin e të tjerë bashkëpuntorë të afërt të tij që ranë në rrjetën e drejtësisë, edhe këtë herë, Rama largoi përgjegjësitë nga vetja dhe partia që drejton, duke u dhënë duart njerëzve që kishte mbajtur pranë.
Për mua e për Partinë Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e ditës së parë në detyrë: Cilido qoftë, pa dallim partie duhet të përballet vetë me drejtësinë! Dhe cilindo qoftë ndër ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashkë me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor, askush ndër ne që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjesë e familjes sonë politike. Kaq. Kjo është Partia Socialiste. Ky jam unë.
Edi Rama, Kryeministër / FB
Rama e mbyll komentin e tij duke kujtuar se Partia nuk do të shërbejë si zyrë avokatie për askënd, ndërsa shton se në familjen socialiste nuk do të ketë vend për të inkriminuarit. (A2 Televizion)