
Policia është vënë në kërkim të një automjeti tjetër me të cilën dyshohet se kanë lëvizur atentatorët e Elbasanit.
Burime të sigurta thanë për A2 se pas djegies së mjetit, në vendngjarje 4 persona kanë lëvizur me një makinë tjetër “Volkswagen” ngjyrë blu.
Makina tip veture është pikasur nga disa dëshmitarë në dalje të varrezave, por ka humbur në rrugicat e Fushë Mbretit.
Këtu hetuesit kanë hedhur dyshime se automjeti nuk ka dalë nga lagjja e re ose zona e njohur si Fushë Mbret. Për këtë janë ushtruar kontrolle, por asnjë gjurmë e të dyshuarve. Sa i përket armës së përdorur, snajper, numrat e saj identifikues janë fshirë, kjo për arsye se mes tyre policia mund të kërkonte origjinën e blerjes së saj nëpërmjet Interpolit.
Modeli finlandez ose i njohur ndryshe si “Lapua Magnum” 8.65 mm qëllon deri në distancën maksimale prej 1200 metrash. Ekspertët mendojnë se kemi të bëjmë me një qitës profesionist pasi përdorimi i kësaj arme kërkon njohuri ushtarake dhe trajnim. Nga ana tjetër prokuroria ka në dorë pak prova të mbledhura në banesën dykatëshe nga aty ku mendohet se është vëzhguar Ardian Capja. 55-vjecari vijon të mbetet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, ndërsa ka mohuar se është qëlluar. (A2 Televizion)