Avokatët penalistë vendosin të vihen në shërbim të subjekteve të prekura nga tërmeti duke ofruar shërbime falas për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit.
“Të gjithë avokatët penalistë, do të jenë avokatët e viktimave, pro-bono, pra të gjithë personat që kanë pësuar dëm njerëzor që do të jenë subjekt procedimi penal në hetim apo në gjykim në bazë të fatkeqësisë që ata kanë, të gjithë avokatët penalistë, kudo që janë subjektet si viktima qoftë akuzuese apo në çështjet penale që do të ngrejë prokuroria, do të jenë avokatët pa pagesë në ndihmë të viktimave përballë atyre që na sollën këtë fatkeqësi, përveç faktorit natyrë”, u shpreh avokati Sajmir Vishaj.
Shoqata e Avokatëve Penalistë kërkoi gjithashtu që amnistia e parashikuar për këtë fundvit, të shërbejë për të shmangur mbipopullimin në sistemet e vuajtjes së dënimit.
“Mendoj që një amnisti e përfolur 1-2 vjet përpara nuk ka arsye pse të hezitohet. Ne kërkojmë amnisti jo për të liruar 100 apo 200 të paraburgosur, por të ulim mbipopullimin e burgjeve. Ne duhet të nxitojmë, mos i japim asnjë ngjyrë politike amnistisë por të jetë gjithëpërfshirëse”, shtoi Vishaj. (A2 Televizion)