Avokati Visha: Ata që nuk kalojnë vetting-un, të ndiqen nga Prokuroria

Nga A2 CNN
26 Gusht 2019, 17:45 | Aktualitet
Avokati Visha: Ata që nuk kalojnë vetting-un, të ndiqen nga

Avokati Saimir Visha thotë se sistemi i drejtësisë momentalisht është jo funksional. “Me mungesën e Gjykatës së Lartë dhe atë Kushtetuese, është e pamundur të godasësh një vendim të shkallës së parë apo të apelit”, u shpreh ai në një intervistë në A2.

“Nuk kemi kapacitetet e duhura për të zëvendësuar personat që nuk kaluan rivlerësimin në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit apo në Komisionin e Posaçëm të Apelimit. Nuk e kuptoj se si u vendos të fillojmë një reformë pa gjetur më parë kapacitetet. Shumica e kandidatëve nuk i përmbushin kriteret. Gjykata Kushtetuese nuk është vend pune, jo gjithkush është i lirë për të vetëkandiduar. Subjektet e interesuar duhet të zgjohen që të çojmë ajkën, më të mirët”, thotë Vishaj. “Gjykata Kushtetuese është themeli i drejtësisë, aty duhet të jenë konstitucionalistë të mirëfilltë, që kanë njohuri të së drejtës kushtetuese dhe publike. Ne kemi burime njerëzore, por njerëzit stepen për shkak të kritereve”.

Sipas tij duhet që prokurorët dhe gjyqtarët të cilët nuk kalojnë vetting-un duhet të ndiqen nga Prokuroria, duke pritur edhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ata që kanë ankimuar vendimet. “Nuk mundesh që nga një anë t’u thuash se keni vënë pasuri kundër ligjit dhe nga ana tjetër ta gëzojnë këtë pasuri. Kjo nuk shkon”, shprehet Visha. “Nëse drejtësinë do ta shkëpusim nga politika, atëherë kemi fituar. Për aq kohë sa monitorohet nga Be dhe SHBA unë kam shpresë”.

Sa i përket Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, Visha shprehet se nuk mjafton vetëm krijimi i një institucioni të ri, për sa kohë emrat e individëve që do të punojnë aty do të jenë po të njëjtët. “Unë jam pak pesimist. Nëse duhet të plotësojmë vendet vakante sepse na thonë që SPAK duhet të ngrihet urgjentisht, po me të njëjtët individë që nuk kanë pasur kurajë të thërrasin asnjë President, apo Kryeministër, atëherë nuk kemi bërë asgjë”, thotë Visha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos