
Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Presidenti Ilir Meta “do të mbahet mend gjatë si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese”.
“Kuvendi i bën thirrje Presidentit që të mos ndërmarrë asnjë veprim në shkelje të Kushtetutës. Presidenti po bën ç’është e mundur për të ndaluar reformën në drejtësi”, tha Balla.
Më pas, kreu i grupit socialist i bëri thirrje Metës që të mos përgojojë drejtues të institucioneve të tjera.
“Është e papranueshme dhe e padrejtë që Meta të përgojojë drejtues të institucioneve të tjera të vendit. Ai është në majën e piramidës institucionale, por nuk ndodh gjëkundi që Presidenti të marrë nëpër gojë kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Meta duhet të jetë i fundit që të merret me zotin Dvorani, pasi ka qenë një prej 5 gjyqtarëve të dosjes penale në ngarkim të Metës dhe në atë dosje, të paktën Dvorani, ka pasur mendim kundër me 4 anëtarë të tjerë të gjykatës. Kjo duhet të jetë pjesë e kodit etik të çdo personi”, deklaroi Balla. (A2 Televizion)