
Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, zhvilloi një takim pasditen e së mërkurës me përfaqësues të biznesit të vogël në Fier, nga ku u shpreh se keqqeverisja dhe taksat e larta falimentuan biznesin e vogël.
“Kriza që po kalon vendi nuk ka kursyer biznesin e vogël. Dyqanet e gjithë vendit janë bosh njësoj si xhepat dhe arka e shtetit. Kjo rezultat i keqqeverisjes dhe taksave të larta. Nga kjo krizë nuk dilet pa zgjidhur krizën e ekonomisë dhe faktori kryesor i kësaj zgjidhje është biznesi i vogël”, tha Basha.
Më tej, Basha theksoi se PD ka një platformë të qartë për biznesin e vogël për ta çliruar nga taksidarët. “Ndryshe nga fasada e kësaj qeverie, për mua dhe PD do të jetë në qendër të ofertës tonë, çlirimi i biznesit. Qeveria e PD do të jetë qeveri që ju dëgjon dhe ju mbështet”, tha Basha.
Për Bashën, investimet e vetme të kësaj qeverie janë “avionë për shfaqje bajate që duken e zhduken”.
“Nuk flasim dot për një investim të huaj perëndimor, përveç shfaqjeve bajate me mashtrime avionësh që duken e zhduken nga linja ajrore e Turkish Airlines, por lyer me bojën e Edi Ramës si Air Albania që ndonëse është një sajesë shumë e dyshimtë, papritur na ka gjetur para për të financuar e për t’i vënë emrin stadiumit. Se ku i bëri ato para hajde merre me mend. Por e rëndësishme është kjo që nuk kemi asnjë investim serioz të huaj”, tha kreu demokrat. (A2 Televizion)